Ribotohet libri "Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë" i Prof. Abas Ermenjit

E enjte, 12 Mars 2009 02:19

Print

  Ditët e fundit, me rastin e 6-vjetorit të ndarjes nga jeta së ish-kryetarit të Ballit Kombëtar, Prof. Abas Ermenjit, u ribotua libri i tij i titulluar "Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë"


"Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë" është një studim mjaft interesant i historisë së Shqipërisë dhe  kombit shqiptar. I shkruar nga Prof. Abas Ermenji dhe i botuar për herë të parë në vitin 1968 në mërgim nga Komiteti Kombëtar Demokrat "Shqipëria e Lirë", ky libër u ribotua në vitin 1996 në Tiranë nga Shtëpia Botuese Çabej.

Menduam se ishte koha për një botim të tretë në një periudhë kur, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, shqiptarët kërkojnë të dinë se cila do të jetë e ardhmja e tyre kombëtare dhe politike. Pyetjeve të tilla është shpesh më e lehtë t'iu përgjigjesh duke hedhur sytë nga e kaluara, dhe ky studim ka vetinë që ta sjellë përpara lexuesit dhe ta tregojë këtë histori  me një besnikëri dhe saktësi mahnitëse, duke kaluar me një lehtësi të admirueshme nga ngjarje të veçanta në zhvillime të përgjithëshme, duke mënjanuar detajet e panevojshme dhe duke u përqendruar tek ajo që është thelbësore për kombin shqiptar.

Në libër kemi ruajtur gjuhën origjinale, siç është shkruar nga Prof. Abas Ermenji, gjuhë e cila ka shumë elemente të epokës para-komuniste dhe ka disa ndryshime të vogla nga ajo që sot quhet gjuhë letrare. Menduam se libri do të humbiste pak nga vlera e tij nëse do të përshtatej në gjuhën e sotme.

Libri është i këndshëm në të lexuar dhe futesh me lehtësi në botën e tij. Leximi i parë i këtij libri është një surprizë e këndshme, sepse historia e treguar në të ështe e gjallë, tërheqëse dhe larg stereotipeve të mërzitshëm.

Ky libër mund të lexohet nga të gjithë shqiptarët që duan të dijnë për identitetin e tyre, sidomos nëse janë të pasionuar pas historisë. Por njëkohësisht është edhe një studim shkencor, i cili  do të jetë shumë i vlefshëm për studentët e historisë dhe historianët. Në fund të librit kemi vendosur një indeks për ngjarjet, vendet dhe personazhet me rëndësi që në një mënyrë apo në një tjetër kanë hyrë në historinë e Shqipërisë.

Libri i Prof. Ermenjit u ribotua me përkujdesjen e Botimeve Balli i Kombit (BBK). Për më tepër informacion, ju lutemi të vizitoni webfaqen e BBK.