Abas Ermenji
Abas Ermenji (1913-2003) lindi në Ermenj të Skraparit më 12 dhjetor 1913. Studimet fillore i kreu në Berat, kurse studimet e mesme në gjimnazin e Shkodrës. Në vitet 1934-1938 kryen në Sorbonë, Paris, Fakultetin e Letërsisë me specializim Historinë.
Kthehet në Shqipëri në vitin 1938 dhe emërohet profesor në Liceun e Korçës ku jep mësim deri në muajin nëntor të vitit 1939. Arrestohet nga italianët si një nga organizatorët e rinisë korçare në manifestimet e 28 Nëntorit 1939 kundër pushtimit fashist dhe internohet në ishullin e Ventotenes, prej ku lirohet në vitin 1941.
Sapo kthehet në Shqipëri merr pjesë në organizimin e rezistencës së armatosur kundër pushtimit të huaj në zonën Skrapar-Berat dhe zhvillon disa beteja kundër italianëve. Ishte një nga organizatorët e Ballit Kombëtar dhe anëtar i Komitetit qendror të tij.
Pas fitores së revolucionit komunist në Shqipëri, detyrohet të largohet nga atdheu dhe të marrë rrugën e gjatë të mërgimit. Vendoset në Paris ku drejton Komitetin Kombëtar Demokrat "Shqipëria e Lirë", i cili ka lozur një rol të madh në përpjekjet për një Shqipëri të lirë nga diktatura komuniste si dhe për çlirimin e Kosovës nga shtypja dhe tirania e Serbisë.
Pas rikrijimit të Ballit Kombëtar në Shqipëri në vitin 1991, zgjidhet kryetar i kësaj partie dy herë radhazi në vitet 1994 dhe 1998. Gjatë kësaj periudhe, megjithë moshën e tij të madhe, ka dhënë një kontribut të madh në ngritjen e ndjenjës kombëtare të shqiptarëve nëpërmjet një serie konferencash në të gjithë Shqipërinë.
Profesor Ermenji ka qenë një mbrojtës i flaktë i çështjes dhe kombësisë shqiptare, me artikuj të shumtë, të botuar tek "Flamuri", "Balli i Kombit", përmbledhja "Albania" etj. Por kryevepra e tij është studimi "Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë" - një apologji madhështore e kombësisë shqiptare.