Botohen kujtimet e z. Petrit Kello "Emigrant në Australi"
Vendosja e dikataturës komuniste në Shqipëri në fund të vitit 1944, detyroi me mijëra shqiptarë të marrin rrugën e gjatë dhe pa kthim të mërgimit. Shumë prej tyre shpresuan se ky emigrim do të ishte i përkohshëm dhe se së shpejti do të ktheheshin përsëri pranë familjeve të tyre, që patën lënë në atdhe. Por për fat të keq diktatura komuniste zgjati 50 vjet dhe shumica e këtyre emigrantëve e kaluan dhe e mbyllën jetën larg vendit të tyre, pa u parë kurrë më me nënën, babanë, vëllanë, motrën, gruan apo femijën. Disa prej tyre, më të rinjtë, patën më shumë fat sepse i mbijetuan regjimit komunist dhe mundën ta shikojnë përsëri Shqipërinë për të cilën i digjte malli.
Një prej tyre është Petrit Kello, i cili u largua nga Shqipëria në moshë shumë të re për të shkuar në Perëndimin e lirë. Pas disa vitesh, kur humbën shpresat për një çlirim të shpejtë të Shqipërisë nga komunizmi, ai emigroi në Australi për t'u kthyer vetëm pas 41 vjetësh në vendlindjen e tij në Bilisht. Në emigracion ai u integrua ne jetën e shtetit ku jetonte dhe arriti të ketë një pozitë shoqërore dhe profesionale të respektuar dhe të nderuar. Megjithatë ai kurrë nuk e harroi vendin e tij, Shqipërinë, dhe u interesua për të gjatë gjithë kohës duke marrë pjesë në organizatën nacionaliste Balli Kombëtar. Dhe atëherë kur nisi lufta e Kosovës, nëpërmjet njohjeve që kishte krijuar, ai u përpoq të sensibilizonte qeverinë australiane në favor të çështjes shqiptare duke kryer detyrën e tij prej shqiptari dhe atdhetari.
Në këtë libër do të gjeni kujtimet e Petrit Kellos, të cilat janë të gjalla dhe të treguara në një mënyrë të thjeshtë dhe tërheqëse. Rrëfimi e zhyt lexuesin në një univers shumë-dimensional: jeta shqiptare e viteve 1940, kampet e emigrantëve të pasluftës në Perëndim, hapësirat e pafund të Australisë, Shqipëria e viteve 1990 e më pas, shfaqen me një qartësi dhe saktësi të mahnitëshme.
Këto kujtime hedhin pak dritë mbi emigracionin shqiptar gjatë diktaturës komuniste. Për shkak të izolimit të Shqipërisë, emigracioni i kësaj periudhe njihet ose fare pak nga lexuesi shqiptar, ose në mënyrë të deformuar nëpërmjet klisheve të propagandës komuniste. Shpresojmë që ky botim të ndihmojë shqiptarët ta kuptojnë më mirë historinë e këtij emigracioni në veçanti dhe historinë e Shqipërisë në përgjithësi.
Botimet “Balli i Kombit”